Hjustoni i Hardenit shkëputet, në ditën e rëndësishme të Lebronit

Hjuston Rokits ka nisur një shkëputje që mund të rezultojë vendimtare në fazën e rregullt të sezonit në NBA. Skuadra, e udhëhequr si përherë nga Xhejms Harden, triumfoi në një ndeshje të vështirë në fushën e Nju Orlinsit dhe forcoi pozitat në krye të Konferencës Perëndimore. Shifrat ishin 107-101 me Hjustonin që luajti me autoritet gjatë gjithë kohës, duke u shfaqur ashtu siç është, skuadra më e mirë e vitit.

Harden shënoi 32 pikë, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë, duke pasur edhe 3 vjedhje topi. Rokits u tregua ekip me shumë alternativa pasi të rëndësishëm ishin Ariza, Kapela, Pol apo Taker. Skuadra e Hardenit ka 55 fitore e 14 humbje, ndaj 53 fitoreve e 17 humbjeve të kampiones Golden Stejt.

Ky sukses i Hjustonit u arrit pikërisht në mbrëmjen kur Lebron Xhejms realizoi tripëll dabëllin numër 70 të karrierës, një tjetër arritje e madhe e njërit prej basketbollistëve më të mëdhenj në histori. Lebron e bëri këtë në suksesin 114-109 që Klivlendi arriti në fushën e Çikagos, dhe kapiteni shënoi 33 pikë, kapi 13 topa në tabela si dhe shërbeu 12 pasime për kosh.

Ai pati edhe një vjedhje topi dhe dy bllokime gjuajtjesh. Në renditjen e basketbollistëve ende aktivë, Lebron është i dyti pas Rasëll Uestbrukut që ka arritur në 101 tripëll dabëlla. Gjithsesi, Klivlendi mbetet në vendin e tretë në Konferencën Lindore, pas Torontos e Bostonit.

Sfidanti.al