Hjuston frenon Golden Stejt; skuadrës së Uorriors nuk i mjaftoi Durant

Ata që pas 2 ndeshjeve të para me Hjustonin, kanë menduar se Golden Stejt do ta mbyllte pa shumë probleme fazën gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit, ka menduar gabim. Skuadra teksane arriti të shkurtojë diferencën me kampionët në fuqi të NBA duke fituar ndeshjen e tretë të serisë së përballjeve, pikërisht përballë publikut të saj në Toyota Center.

126-121 ishte sfida e mbyllur në favor të Rockets, një sfidë kjo që gjithsesi u desh të zgjidhej pas kohës shtesë. Hjustoni në momente të caktuara të ndeshjes arrinte të krijonte avantazhe prej 11 pikësh madje në një rast ajo shkoi edhe në 13 pikë, por Golden Stejt gjithnjë kundërpërgjigjej duke rihyrë në lojë, deri në momentin që koha e rregullt u mbyll në barazim duke iu drejtuar 5 minutave të kohës shtesë

Në këtë moment të lojës Hjustoni bëri një paraqitje shumë më të mirë falë edhe Xhejms Harden që shënoi 7 nga 14 pikët e skuadrës në kohën shtesë, ndërkohë që në bilancin personal shënoi 41 pikë. Në krahun tjetër, te Golden Stejt Kevin Durant shënoi 46 pikë, por që nuk i shërbyen skuadrës së tij, ndërsa Stiven Kërri, nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe kjo u duk sidomos në kohën shtesë, kur ky basketbollist gaboi një gjuajtje shumë të lehtë 22 sekonda nga fundi duke humbur shansin që skuadra e tij të shkurtojë diferencën në 3 pikë për ta bërë akoma më të flaktë fundin e takimit.

Gjithsesi ajo që ka rëndësi në këtë moment është se Golden Stejt kryeson 2-1 dhe në sfidën e katërt që do të luhet po në Toyota Center do të kërkojë revanshin për ta vendosur serinë e përballjeve me Hjustonin në drejtimin e dëshiruar.

sfidanti.al