Çelsi i Sarrit, nga turpërimi publik në kualifikimin Champions!

U desh fitorja e vetë Bluve të Londrës 3-0 ndaj Uatfordit, u nevojit edhe barazimi i Junajtidit në fushën e Hadërsfildit, por vulën e vuri barazimi i pabesueshëm i Arsenalit në stadiumin e tij me Brajtonin. Çelsi i Mauricio Sarrit do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Londinezët kanë 71 pikë në vend të tretë, ndaj 70 të Totenhemit, 67 të Arsenalit dhe 66 të Mançester Junajtidit.

Loftus-Çik, David Luiz dhe Higuain ishin autorët e golave për ekipin e Sarrit, i cili mori një shpërblim të merituar pas një sezoni tepër të vështirë, me kritika të ashpra, me konflikte të brendshme (Kepa, Kejhill), dhe me një klub të cilit i ka “humbur” pronari. Qesh mirë kur qesh i fundit, dhe llogaritë bëhen në fund. Tani, tifozët e bluve mund ta kuptojnë se ish-trajneri i Napolit nuk mund të merrete më shumë se vendi i tretë këtë vit në Premier Ligë, me një ekip që nuk ka cilësinë dhe thellësinë e Mançester Sitit e Liverpulit.

Ky sukses, natyrisht, që nuk do të pengojë dot largimin e Eden Hazarit për tek Realit (nuk mendohet se Çelsi do t’ia dalë), dhe po ashtu mund të ketë edhe ndonjë ikje tjetër, pasi Uillian kërkohet nga Barcelona. Gjithsesi, kualifikimi në Champions i jep Sarrit (nëse do të jetë trajner vitin tjetër), edhe paratë e duhura, por edhe shansin e duhur për yjet që do të kërkojë të marrë.

Sfidanti.al