Hamilton: Rekordin nuk e imagjinoja dot as në ëndrrat më të çmendura!

Nxënësit duhet të bëhen më të mirë se nxënësit. Ky është ligji edhe në sport, ku rekordet janë bërë për t’u thyer, dhe ku u kalua një gur kilometrik i madh. Ljuis Hamilton, me fitoren e arritur në Çmimin e Madh të Portugalisë, kaloi shifrën legjendare të Mikael Shumaherit me 91 fitore në karrierë, duke arritur të 92-ën. Anglezi 35-vjeçar do të synojë të kalojë kufirin e 100 sukseseve, ndërsa hodhi një hap më shumë drejt barazimit të rekordit tjetër të Shumaherit, atij të 7 titujve botërorë.

“Kurrë nuk e kisha imagjinuar se do të arrija kaq sa kam fituar, – u shpreh britaniku, – i jam në borxh thellësisht Mercedesit. Unë nuk kam një shkop magjik, por skuadra më ndihmoi. Do të duhet të kalojë një farë kohe që të arrij ta kuptoj se çfarë kam bërë”.

Hamiltoni u nis nga vendi parë, por pastaj zbriti në të tretin, veçse reagoi fort duke shfrytëzuar talentin e tij dhe potencialin e makinës Mercedes, të paarritshme për rivalët. U deshën gjithsesi, 20 xhiro që ai të kalonte fillimisht Karlos Sainzin me Meklaren dhe pastaj shokun e tij të skuadrës, Valteri Botasin. Në pistën e Portimaos në Algarve, kampioni i botës theu edhe rekordin e shpejtësisë, duke pasur xhiron më të shpejtë të garës me 1’18”750, madje dy xhiro para fundit.

Suksesi i Hamiltonit ishte kaq dominues saqë Botasi, me të njëjtën makinë, mbeti 25 sekonda prapa, ndërsa Verstapen 35 sekonda. Makinat e tjera ishin më larg se 1 minutë, përfshi edhe Ferrarin e Sharl Lëklerkut. Momentet e vetme delikate ishin kur retë e zeza u mblodhën mbi pistë dhe anglezi pyeti disa herë skuadrën nëse do të binte shi.

Hamilton kryeson Botërorin me 256 pikë, 77 pikë më shumë sesa Botas që është rivali më i afërt. Mercedesi kryeson Botërorin e skuadrave me 425 pikë ndaj 226 të Red Bullit. Gara e radhës është Çmimi i Madh i Emilia Romanjës në Itali në 1 nëntor.

Sfidanti.al