“Nuk e di se çfarë iu shkoi ndër mend që ta bënit këtë, por tani djem duhet të shpresoni për ndonjë mrekulli”. Këto ishin fjalët e ashpra të Ljuis Hamiltonit drejtuar skuadrës së tij, kur duheshin edhe 20 xhiro deri në përfundim të Çmimit të Madh të Montekarlos, ndërsa gomat e tij kishin nisur të shkatërroheshin. Mercedesi i vendosi anglezit goma të mesme, pra jo aq të forta, ndryshe nga ajo që bëri Red Bulli me Maks Verstapenin.
Për fat, në timonin e Mercedesit ishte Hamilton, dhe gara zhvillohej në rrugët e Principatës, në garën ku parakalimi është më i pamundur se kudo në Formula 1. Kampioni i botës në fuqi ia doli të ekuilibronte makinën me aftësinë e tij të jashtëzakonshme, duke përballuar sulmet e pilotit holandez, sidomos tentativën për parakalim në xhiron e 76-të. Hamilton e mbylli garën me vetëm gjysmë sekondi më pak sesa Verstapeni, dhe thelloi epërsinë në krye të renditjes së Botërorit me 137 pikë ndaj 120 të Valteri Botasit, shokut të tij të skuadrës.
Hamiltoni garoi duke pasur në kokë një kokore me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, për nder të Niki Laudës, kampionit të madh që vdiq në moshën 70-vjeçare, dhe që ishte pjesë e skuadrës Mercedes. Edhe më pas, ai vendosi një kapele me ngjyrë të kuqe dhe me emrin Niki, duke e quajtur këtë si “garën më të vështirë në jetën time, pasi luftova duke pasur me vete shpirtin e Nikit”.
Ishte kjo fitorja e katërt e 34-vjeçarit këtë Botëror, dhe e 77-ta në karrierë, që do të thotë se tani është vetëm 14 suksese larg rekordit të legjendarit Mikael Shumaher. Në vend të dytë në Montekarlo doli Fetel dhe i treti Botas, pasi Vertapeni u dënua me shtim të 5 sekondave. Në renditjen e skuadrave, Mercedesi është i shkëputur me 257 pikë pas 6 garave, ndaj 139 pikëve të Ferrarit.
Sfidanti.al