Golden Stejti është kampion i Perëndimit, Klej Tompsoni është heroi!

Karriera e tij dukej thuajse e marrë fund, pas 2 opercioneve të rënda dhe dy viteve rehabilitim që i hoqën një pjesë të mirë të karrierës. Klej Tompson ishte më herët kapiteni i Golden Stejt Uorriorsave që dolën tri herë kampion në NBA (2015, 2017, 2018), por që u duk si skuadër e shkatërruar pas largimit të Kevin Durantit dhe dëmtimeve të Tompsonit e Stef Kërrit. Më në fund, në janar të këtij viti, “Vëllezërit Splesh” u bënë sërish bashkë në fushë dhe u kuptua se çfarë kishte munguar. E gjithë kjo periudhë e vështirë tani është lënë pas dhe lumturia është tepër e madhe ndërsa Golden Stejti fitoi titullin në Konferencën Perëndimore, pas fitores 120-110 ndaj Dallasit. Luka Donçiç duhet të presë një sezon tjetër, sepse këtë titull e morën “Luftëtarët” nga Kalifornia, si dhe të drejtën për të luajtur sërish në finalen e madhe të NBA-së, për herë të 6-të në 8 vitet e fundit. Tompson shënoi 32 pikë, Kërri pati 15 pikë e 9 asistë, Kivon Lunej shtoi 10 pikë, 17 topa në tabela e 4 asistë, Drejmond Grini 17 pikë, 6 topa në tabela e 9 asistë dhe Endrju Uiginsi 18 pikë e 10 topa në tabela. Vetë Donçiç e mbylli me 28 pikë, 9 topa në tabela e 6 asistë, por gaboi shumë në gjuajtje.

Sfidanti.al