Lebron Xhejms e kishte paralajmëruar. Transferimi i një basketbollisti me inicialet KD gjatë verës, i ka ndryshuar ndjeshëm balancat në NBA. Basketbollisti është Kevin Durant dhe skuadra me të cilën ai u bashkua nuk është tjetrë veçse, Golden Stejt Uorriors. Nënkampionia në fuqi arriti edhe fitoren e 42-të (me vetëm 7 humbje) gjatë sezonit të rregullt, me një lehtësi çarmatosëse. Shifrat ishin 133-120 në fushën e njërit prej rivalëve më të fortë të Perëndimit, Los Anxhelos Klipersave, madje me trajnerin Stiv Kerr që mundi t’u jepte nga 11 minuta pushim (gati çerekun e ndeshjes) Durantit e Stefën Kërrit.
Përshtatja e KD-së në skuadër tashmë duket se ka përfunduar, dhe po ashtu ambientimi i Kërrit me formacionin dhe skemat e reja. Pasi shënoi 43 e 39 pikë në dy ndeshjet e fundit, Kërri shtoi edhe 29 në Los Anxhelos, duke dhënë edhe 11 asiste, ndërsa Durant iu afrua një “tripëll dabëlli” me 26 pikë, 8 topa në tabela e 10 asistë. Klej Tompson që luajti më pak, 32 minuta, i shënoi gjithsesi 21 pikë.
Kur po kalojnë dy të tretat e sezonit, ekipi kalifornian nga Oklendi e ka gjithçka nën kontroll. Natyrisht, asgjë nuk është e garantuar për titullin, pasi San Antonio nuk do të dorëzohet kurrë, dhe po ashtu Klivlendi apo Bostoni në Lindje, veçse le të kujtojmë fjalët e Lebronit. Golden Stejti do të bëhet gjithnjë e më e fortë, sa më shumë të kalojë edicioni.