Gjokoviçi zgjedh trajnerin për në “Rolan Garos” – Andre Agasi

Andre Agasi, edhe zyrtarisht, është zgjedhja e tenistit Novak Gjokoviç si trajner i tij i ri, duke filluar, më 29 maj, kur nis edhe turneu i Parisit, “Rolan Garos”. Në disa turne të tij të fundit, tenisti serb i mësipërm ka marrë pjesë, pa pasur trajner, mbasi ai e ndërpreu bashkëpunimin me stafin e tij të mëparshëm. Mbas humbjes së djeshme, për dikë të pritshme, për dikë tjetër, të papritur, në finalen e turneut të Romës, ndaj tenistit  gjerman 20-vjeçar, Aleksandër Zverev, Gjokoviçi u bëri të ditur gazetarëve se, fillimisht, bashkëpunimi mes tij dhe Agasit do të jetë kohëshkurtër. “Kam biseduar, disa herë në telefon, me Andrenë, gjatë këtyre javëve të fundit dhe ne ramë dakord që të bashkëpunojmë në Paris.

Nuk është fjala për ndonjë bashkëpunim afatgjatë, thjesht, ne do të kemi kohë që të njohim njëri-tjetrin, me qëllim që të përcaktojmë, nëse do të mund të funksionojmë bashkë. Ai nuk do të qëndrojë gjatë të gjithë turneut, por do të jetë pjesë e stafit tim dhe unë do t’i dëgjoj këshillat e tij. Për Andre Agasin unë kam një respekt të jashtëzakonshëm, edhe si lojtar dhe edhe si njeri. Ai, gjatë karrierës së tij, ka kaluar një periudhë të vështirë, të ngjajshme me timen, dhe tani përvoja e tij, me siguri, që do të më ndihmoj mua”, deklaroi Gjokoviçi.

Sfidanti.al