Është vetëm një hap larg historisë. Novak Gjokoviç u kualifikua për në finalen e US Openit dhe ka mundësi të dielën që të thyejë një rekord të madh. Nëse ia del, do të bëhet tenisti i parë mashkull në histori që të ketë 21 tituj Grand Slem në karrierë. Për momentin, Gjokoviç ndan rekordin me Rozher Federerin, që arriti i pari në shifrën 20, dhe Rafael Nadalin. Suksesi në gjysmëfinale ishte ndaj një rivali të fortë si Aleksandër Zverev, i cili e mundi Nolen në Tokio 2020 e pastaj u bë kampion olimpik.
Këtë herë ndodhi ndryshe, edhe pse tenisti gjerman fitoi setin e parë. Në përfundim kampioni serb ia doli 3-2, me rezultatin e seteve 4-6, 6-2, 6-4, 4-6 e 6-2. Numri 1 i botës po synon titullin e katërt në “Flashing Midous”. Nole fitoi në Nju Jork për herë të fundit në 2018, por në dy vitet e kaluara u pengua nga probleme të tjera, jo nga kundërshtarët. Në 2019 u tërhoq i dëmtuar, ndërsa në 2020 u përjashtua sepse goditi me top një vijërojtëse në nervozizëm e sipër.
“Dua të them faleminderit sepse atmosfera ishte mahnitëse, – u shpreh Nole, – atmosfera më e mirë e turneut deri tani. Këto janë momentet për të cilat jetojmë, mundësitë e veçanta që të jep sporti. Përgëzoj Aleksandrin për ndeshjen që luajti. Ai është një tenist i madh që jo më kot doli kampion olimpik. Mbetet finalja ndaj Medvedevit që do ta luaj sikur të ishte ndeshja e fundit e karrierës sime. Na mbetet vetëm një ndeshje, le ta luajmë atë”.
Sfidanti.al