Përse Partizani ka 5 vjet që i humb ndeshjet e javës së parë të Superligës?!

Nuk është e lehtë të shpjegohet, por fakti është që Partizani ka 5 vjet radhazi që e nis kampionatin me humbje. Skuadra kryeqytetase ka filluar serinë negative që në 2017 dhe nuk e ka përfunduar ende, pasi ditën e djeshme u mund nga Teuta në javën e parë të Superligës. Disfata fillestare ishte ajo ndaj Laçit, me shifrat 0-2, në 10 shtator në stadiumin “Selman Stërmasi kur shënuan Kallaku e Da Silva. Vijoi me ndeshjen që pati imazhin e keq të dhunës në gusht 2018 ndaj Skënderbeut në “Elbasan Arena” ku kryeqytetasit u mundën 0-1 nga Skënderbeu, ende në atë kohë ekip i madh. Gjithsesi, ishte sezoni kur u fitua titulli i parë pas 26 vjetësh, nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega.

Në edicionin pasardhës, edhe pse si kampionë në fuqi, kryeqytetasit u mundën nga Kukësi në ndeshjen e luajtur në Elbasan, me shifrat minimale 0-1, kur trajner i ekipit ishte italiani Lerda. Tronditëse ishte disfata në fushën e Kastriotit, 1-2 në nisje të stinorit të kaluar kur edhe nisi epoka e trajnerit Ilir Daja. Kjo nuk e pengoi Partizanin që të luftonte për titull deri në javën e fundit, duke mundur Teutën, por duke pësuar humbjen fatale ndaj Vllaznisë në “Arenën Air Albania”, që praktikisht ia dha kurorën Teutës. Ishte pikërisht Teuta që këtë të premte i shkaktoi hidhërimin e dytë teknikut Daja duke mundur të kuqtë në Elbasan. Gjithsesi, sipas traditës, titulli mund të pretendohet e të fitohet edhe kështu.

Humbjet e ndeshjeve të para

2017-2018 Partizani-Laçi 0-2

2018-2019 Skënderbeu- Partizani 1-0

2019-2020 Kukesi-Partizani 1-0

2020-2021 Kastrioti-Partizani 2-1

2021-2022 Teuta-Partizani 1-0

Sfidanti.al