Nuk është konkurrimi më i vështirë për të, pasi askush nuk krahasohet me “Rolan Garosin” (“mbretërinë” e Rafael Nadalit). Gjithsesi, US Openi ka sjellë iluzionet dhe njëkohësisht zhgënjimet më të mëdha për Novak Gjokoviçin. Mbërrin aty për të luajtur finalen e 8-të, ndërsa ka fituar vetëm dy tituj në këtë Grand Slem, atë ndaj Nadalit në 2011 dhe Federerit në 2015. Pesë herë ka njohur disfatë, nga Federer, Nadal (2), Marrej e Vavrinka.
Në finalen që do të luhet sonte, tenisti serb padyshim është favorit, ndonëse rivali i tij, Huan Martin Del Potro, me të drejtë thotë se “Nole cilësohet favorit, por edhe në 2009-ën, favorit ishte Federer, por unë fitova”.
Gjokoviç, nëse fiton, do të barazohej me Pit Samprasin në kuotën e 14 Grand Slemev, në vendin e tretë për të gjitha kohët, pas Rozher Federerit (20) e Rafael Nadalit (17). Jo vetëm kaq, por Gjokoviç do të kthehej si tenisti me fitimet më të mëdha në fushën e lojës, për të gjitha kohët, me shifrën rreth 119 milionë USD, ndaj diçka më pak se 118 milioë USD të Federerit.
Sfidanti.al