Gjokoviç ka 23 ndeshje radhazi dhe 4 vjet që nuk mundet në Uimbëlldon!

E tillë fitorja ndaj australianit me origjinë greke Thanasi Kokinaqis në arenën qendrore të Grand Slemit londinez që e afron edhe një hap më shumë drejt titullit. Synon të katërtin radhazi Novak Gjokoviç në Uimbëlldon, dhe në moshën 35-vjeçare ende duket në gjendje për ta bërë. Nëse ia del, do të kishte 7 trofe, që do të thotë një më pak se rekordi. Ndaj Kokinaqisit nuk pati vështirësi duke fituar 3-0, me setet 6-1, 6-4 e 6-2, pra duke vuajtur paksa vetëm në të dytin. Tenisti serb ka 23 fitore radhazi në barin londinez dhe humbjen e fundit e ka pësuar në 2017! Në një moment, tifozët i bërtitën Kokinaqisit duke i thënë “përpiqu që ta vësh në provë Gjokoviçin”, por ai hapi krahët në shenjë pafuqie. E kush mund ta bëjë me faj?!

Sfidanti.al