Kroatët kthehen në modë për stolin e kombëtares, sikur po merr fund “dashuria italiane”

Në pamje të parë asgjë nuk ndryshon. Edi Reja mbetet trajner i kombëtares shqiptare dhe sipas të gjitha gjasave do ta përfundojë edicionin e radhës në Ligën e Kombeve, por gjithsesi pas “skenës” ka lëvizje. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për televizionin se presidenti Armand Duka dhe njerëzit e tij të afërt po mendojnë për pasardhësin e italianit dhe sipas tyre, trajneri i ri duhet të jetë ballkanas. Saktësisht, flitet për një teknik nga Kroacia, ndonëse ende nuk ka informacion se për cilin bëhet fjalë. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të kishim ndryshim të rëndësishëm kursi, pasi prej vitit 2011 në stolin e saj kanë qenë vazhdimisht trajnerë nga Italia.

Deri në 2017, në stol ishte Xhani De Biazi me të cilin u arrit kulmi, kualifikimi në finalet e Europianit të vitit 2016 në Francë. Më pas, ai u zëvendësua nga Kristian Panuçi që nuk pati sukses në gati dy vjet në drejtimin e kuqezinjve. Historia e tanishme me Rejën njihen, ndërsa italiani ka klauzolë në kontratë që e mban në detyrë nëse del në vend të parë në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria ka barazuar 1-1 me Islandën dhe është mundur 1-2 nga Izraeli. Në të kaluarën, kombëtarja ka pasur dy trajnerë kroatë, pikërisht të famshmin Oto Bariç në vitet 2006-2007 dhe Josip Kuzhen në 2008-2011, që të ndjerë pasi janë ndarë nga jeta.

Sfidanti.al