Fernando Alonso është gjithnjë e më pranë kthimit në Botërorin e Fornula 1. Sipas medias spanjolle këtë të mërkurë pritet njoftimi zyrtar i nënshkrimit të kontratës së pilotit asturian me Renault për vitin 2021, skuadër me të cilin ai ka fituar 2 herë titullin botëror në Formula 1 në 2005 dhe 2006.
Alonso, aventura e fundit e të cilit në Formula 1 ishte ajo me McLaren në 2018, do të zëvendësojë te Renault, Daniel Ricciardon I cili ka arritur akordin për kalimin te McLaren vitin e ardhshme. Për Alonson do të jetë një rikthim në pistat e Formula 1 pas 2 vitesh largimi duke përjetuar eksperienca të tjera si gara e Indy 500, 24 h të Le Mans dhe Rally Dakar.
Gjatë fundjavës së parë të sezonit 2020 të Formula 1, Drejtori i Renault, Cyril Abiteboul kishte deklaruar se skuadra synonte një pilot të rëndësishëm dhe emri i Alonsos po qarkullonte që në momentin kur Ricciardo firmosi me McLaren, pikërisht ditën kur Ferrari bëri të ditur nënshkrimin me Carlos Sainz.
Fernando Alonso në karrierën e tij ka regjistruar 32 fitore në Formula 1, 17 nga të cilat me Renault. Podiumi i fundit i spanjollit ishte në 2014 kur u rendit në vendin e dytë në garën e Hungarisë me një makinë Ferrari. Në 4 vitet e tij te McLaren përpara tërheqjes nuk shkoi kurrë më mirë se vendi i pestë në gara dhe vendi i 10 në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë. Tani bota e Formula 1 është gati të përqafojë sërish një prej miteve të saj.
Sfidanti.al