Fenomeni “Boston”, “zhyt” Denverin dhe i afrohet kreut në Lindje!

Emrin e ka të madh, dhe kush nuk i njeh Sëlltiksat në NBA? Gjithsesi, Bostoni për shumë vite kishte vetëm fanelën e rëndë, por jo edhe rezultatet e mëdha, ndonëse kjo gjë duket se po ndryshon. Fitorja ndaj Denverit ishte me të vërtetë impresionuese, me shifrat 124-104 dhe jashtë fushe, edhe pse përballë patën ekipin e udhëhequr nga lojtari më i mirë i NBA-së sezonin e kaluar, Nikola Jokiç. Basketbollisti serb mund të shpallet edhe këtë vit më i miri, veçse ndaj Bostonit nuk mundi të bënte gjë. Sëlltiksat u drejtuan nga ylli i tyre kryesor, Xhejzën Tatëm, që shënoi 30 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 7 asistë. Po 30 pikë u shënuan nga Xhejlën Braun, ndërsa plot 9 lojtarë kontribuuan me kosha. Jokiç nuk ishte në mbrëmjen më të mirë, duke shënuar vetëm 23 pikë, e duke pasur 8 topa në tabela e 4 asistë. Ai gaboi shumë në gjuajtjet nga loja. Bostoni është tani në vend të 4-ët në Lindje, me vetëm 1 humbje më shumë sesa vendi i dytë, ndërsa Denveri ka zbritur në vendin e 7-të në Perëndim, duke qenë jashtë zonës që të kualifikon direkt për në plej of.

Sfidanti.al