Me 18 fitore radhazi nuk ke vendosur ende një rekord të NBA-së, madje je larg asaj shifre, por gjithsesi nuk është pak që ky brez të vendosë rekordin e klubit. Feniks Sans arriti fitoren e 18-të radhazi duke përmirësuar arritjen e mëparshme, dhe këtë e bëri në suksesin 114-103 ndaj Detroitit. Edhe pse miqtë patën një rezultat të pjesshëm 17-0 në periudhën e tretë, sërish kjo nuk e ndaloi ekipin nga Arizona që është më i miri në NBA këtë sezon, bashkë me Golden Stejtin. Triumfi bëhet edhe më domethënës kur sheh se lojtari kryesor, Devin Buker, mungoi për shkak dëmtimi. Kris Pol pati 12 pikë e 12 topa në tabela, Brixhs shtoi 18 pikë, Ajton realizoi 17 pikë e kapi 12 topa në tabela, Shamet pati 12, ndërsa lojtarët e ardhur nga stoli kontribuuan shumë si Xhonson (19 pikë), Pejn (19) apo Mekgi (10). Në ndeshjen e radhës, Feniksi luan ndaj Golden Stejtit, të cilën e mundi pak ditë më parë me synim për të thelluar rekordin. Serinë më të gjatë të fitoreve në NBA e ka Los Anxhelos Lejkërsi në nëntor 1971-janar 1972 me 33 fitore radhazi.
Sfidanti.al