Ç’po ndodh me Obamejangun tek Arsenali? Zëvendësohet dhe pëlqen postimin e CR7-ës!

Ai është kapiteni pra mendohet të jetë më i miri dhe më i besueshmi i skuadrës së tij. Gjithsesi, Pjer-Emerik Obamejang pati një mbrëmje për t’u harruar në “Old Traford” ndërsa u zëvendësua pranë fundit nga ana e trajnerit të tij, Mikel Arteta. Arsenali kishte nevojë për gol sepse po humbiste 2-3 ndaj Mançester Junajtidit, por Arteta nuk hezitoi për zëvendësimin. Jo vetëm kaq, por pas ndeshjes, Obamejangu i bëri “pëlqim” postimit të Kristiano Ronaldos për fitoren e “djajve të kuq”, fitore që njëkohësisht ishte humbja e ekipit të tij! Jo më kot, në rrjetet sociale pati tallje duke vendosur edhe përshkrimin “ky është kapiteni i Arsenalit”. Ndoshta, diçka mund të ketë ndodhur mes Obamejangut dhe Artetës, ose thjesht trajneri e zëvendësoi sepse e pa të lodhur dhe sulmuesit nuk i pëlqeu kjo gjë.

Sfidanti.al