Fenerbahçe fiton duelin “big” në Euroligë, “infarkt” në Stamboll!

Luixhi Datome ishte njeriu që shënoi koshin e fitores, por edhe ai që shkëlqeu më shumë në sfidën e gjigandëve në Arenën e shkëlqyer të Stambollit. Fenerbahçe vendase, nënkampione e Europës, mundi 65-63 Realin e Madridit, kampion të Europës, pas një drame të vërtetë. Italiani Datome udhëhoqi ekipin me 17 pikë dhe 7 topa në tabela, ndihmuar nga çeku Jan Veseli me 13 pikë, Marko Guduriç me 11 dhe Ali Muhamed me 10.

Reali kryesoi me 6 pikë (63-57) dy minuta para përfundimit, por Feneri u përgjigj me një ecuri 8-0 për të përmbysur rezultatin. Trajneri Zheljko Obradoviç, i cilësuar si më i miri i Europës, e sheh ekipin e tij në krye të Euroligës në përfundim të gjysmës së parë të ndeshjeve në grupe.

Madrilenët e trajnerit Lasa luftuan fort, por Sergio Jul nuk ishte i zakonshmi duke shënuar vetëm 2 pikë, e duke u përjashtuar nga loja. Pas 15 javëve të para, Fenerbahçe kryeson me 14 fitore e vetëm 1 humbje, Reali e ndjek me 12 fitore e 3 humbje, ndërsa CSKA e Moskës është e treta, me 11 fitore e 4 humbje, pas disfatës që pësoi në Athinë me Panathinaikosin, 84-96.

Sfidanti.al