Momenti është i vështirë dhe çdo vendim mund të keqkuptohet. Gjithsesi, Rozher Federer e ndau mendjen dhe refuzoi mundësinë për të luajtur në Arabinë Saudite, për një ndeshje spektakli që ka vlerë financiare prej rreth 1 milionë dollarësh amerikanë. Natyrisht, vrasja e gazetarit Hashoxhi (Khashoggi) ishte një arsye, pasi dyshimet janë që ai u vra me porosi të pushtetarëve sauditë.
“Më kontaktuan, është e vërtetë, – u shpreh ylli zviceran i tenisit, – refuzova sepse nuk dua të luaj. Në rregull? Unë po stërvitem dhe nuk dua të bëj gjëra të tjera, nuk doja të luaja atje në këtë moment. Ishte një vendim i shpejtë për mua”.
Gjithsesi, Federeri një ditë do të shkojë të luajë në Arabi Saudite, apo në vende të tjera që nuk pëlqehen nga Perëndimi, për shkak të diferencave shoqërore. Thjesht, do të jetë një kohë kur jehona e vrasjes të jetë pakësuar, ndërsa çdo gjë tjetër do të jetë si më parë. Sidoqoftë, nuk do të bënte gabim, pasi nuk thuhet kot se sporti luhet për të bashkuar njerëzit. Me ndryshimin e vetëm, se Federer apo Nadal e Gjokoviç (që pritet të luajnë në Arabi në 22 dhjetor) nuk shkojnë atje nëse nuk kanë një kontratë që t’u japë “X” vlerë monetare, që zakonisht është qindra mijë apo miliona USD.
Sfidanti.al