Juventusi i Alegrit “fluturon” që tani drejt së ardhmes

Nuk është vetëm Kristiano Ronaldo që po habit. i gjithë Juventusi i Masimiliano Alegrit duket se është ngjitur në një lartësi tjetër në krahasim me të kaluarën. Portugezi, dakord, që bën diferencën. Me 7 gola në 10 ndeshje, ai po shënon më shumë se sulmuesit e mëdhenj të së kaluarës tek Juvja, por Alegri ka merita të tjera.

Në Itali flasin për një futboll total të një mënyre të veçantë, me lojtarë me krijimtari, jo të burgosur të roleve të përcaktuara që më parë. Në “Old Traford”, Ronaldo ishte në krah të majtë sipas skemës, por kur shënoi Dibala, krosimi i CR7-ës erdhi nga e djathta. Po ashtu, Kuadrado, që ka tjetër rol, ishte pranë portës në shtyllën e parë duke bërë duel me mbrojtësin Kris Smolling (1.93 metra).

“Alegri është që tani në të ardhmen”, shkruan “La Gazeta delo Sport”, ndërsa Juventusi jo më kot cilësohet si skuadra favorite për të fituar Championsin (nuk dihet nëse Barcelona është dakord)!

Sfidanti.al