Luan të shtunën apo ndaj Interit? Mesi, papritur është shëndoshë e mirë!

Pritej të mungonte të paktën tri javë, por me një yll të tillë nuk duhet të nxitohesh. Lionel Mesi bëri hapin e parë drejt riaftësimit të plotë pas dëmtimit, duke u kthyer në stërvitje për Barcelonën, në kompleksin e klubit.

Argjentinasi zhvilloi seancë së bashku me shokët e skuadrës, një lajm shumë i mirë ky për tifozët dhe trajnerin Valverde, ndonëse pamjet filmike treguan se nuk e lëvizte shumë krahun e dëmtuar në ndeshjen ndaj Seviljes.

Gjithsesi, mediat flasin për një kthim të tij të mundshëm në fushë që këtë fundjavë, në ndeshjen e ligës spanjolle ndaj Rajos së Vajekanos. Valverde do të presë deri në fund dhe do të këshillohet me mjekët si dhe me vetë futbollistin përpara se të vendosë. Ekziston mundësia që ai të tregohet i kujdesshëm dhe që numri 10 të aktivizohet vetëm të martën e ardhshme, në ndeshjen e Championsit në fushën e Interit.

Mesi ishte në formë të madhe përpara dëmtimit, duke shënuar 12 gola në 12 ndeshje të luajtura për Barcelonën, e duke e ndihmuar me vendin e parë në kampionat dhe me tri fitore në tri ndeshje në Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.al