Historitë me spiunazh e kundërspiunazh nuk janë të sajuara vetëm për filma. Edhe historitë e klubeve të futbollit që punojnë pas krahëve dhe që e kanë “strofkën si dhelpra”, me disa hyrje-dalje, po ashtu nuk janë fantazi. E vërteton edhe Reali i Madridit, që në një anë angazhohej për të shkarkuar Lopetegin, në anën tjetër të caktonte “kujdestar” Solarin, po ashtu të bisedonte me Antonio Konten, por edhe “t’i hidhte një sy” Maurisio Poçetinos.
Nuk paska qenë e gjitha, pasi njerëzit e presidentit Florentino Perez paskan bërë edhe punë të tjera. Njëra prej tyre, ajo e bisedimeve “indirekte” me Roberto Martinezin, trajnerin e Belgjikës, që tani jepet si favorit për stolin në “Bernabeu”.
Martinez është i lindur në Katalonjë! Punë e madhe, duket sikur thonë tek Reali. Futbolli është biznes dhe globalizëm, ndaj edhe origjina nuk na pengon. Për më tepër, kur Martinezi tregoi vlerat e tij duke marrë medaljen e bronzit në Kupën e Botës me Belgjikën. Ai tregoi se di të menaxhojë yje të mëdhenj si Hazar, De Brujn, Lukaku, Mertens, Kurtua.
Jo vetëm kaq, por lidhja e tij e fortë me Eden Hazarin do të thotë se “trashëgimtari” i Mesit dhe Ronaldos, mund të ketë arsye shumë të forta për të braktisur Çelsin e për t’u bashkuar me Realin e Madridit.
Sfidanti.al