I ra nga Gjermania për të mbërritur në Angli, por erdhi në formën më të mirë të mundshme. Rozher Federer fitoi për të 10-ën herë turneun e Hales, ndërsa bëhet gati për objektivin e madh të radhës, titullin e 9-të në Uimbëlldon. Legjenda, ende në këmbë, zvicerane, është rekordmen edhe në barin londinez, edhe në renditjen historike të Grand Slemeve, por nuk është ende plotësisht i kënaqur. Një kampion nuk mund të jetë kurrë i tillë.
Federeri inspektoi fushën qendrore të kompleksit të tenisit në Londër, dhe postoi një foto të bërë aty, me shpjegimin “U ktheva”. Edhe pse 37-vjeçar, zvicerani nuk është pa shpresë, sepse triumfin e fundit në Uimbëlldon e pati dy vjet më parë. Sinjal i mirë ishte edhe arritja e gjysmëfinales në “Rolan Garos” të Parisit, që nuk është Grand Slemi i tij i preferuar, por “shtëpia” e Rafael Nadalit.
Edhe Novak Gjokoviç u shpreh me superlativa që u kthye në “barin e shenjtë” të Uimbëlldonit. Tenisti serb, numri 1 në botë, duket se është fokusuar tërësisht tek Londra, pasi nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare që pas gjysmëfinales së “Rolan Garosit” ku u mund nga austriaku Tim. “Nole” është kampion në fuqi, katër herë fitues i titullit, dhe do të synojë të 5-in, për t’u barazuar me legjendën tjetër, Bjorn Borg. Vetëm Rozher Federer dhe Pit Sampras do të ishin përpara tij, përkatësisht me 9 dhe 7 fitore.
“Grand Slemet janë kulmet e karrierës, ndonëse tani familja është gjëja ime kryesore, – tha Gjokoviçi, – pas Parisit, shpresoj të kem një Uimbëlldon të suksesshëm”.
Sfidanti.al