Riçarlison, ç’ke hequr me motin në Angli, por mirë që janë vajzat!

Nga Fluminense tek Uatfordi nuk është shumë e lehtë të kalosh, as nga plazhet e Brazilit për në brigjet e ftohtë të Anglisë. Ky është futbolli, s’ke ç’i bën, ndaj dhe Riçarlison shtrëngoi dhëmbët dhe eci përpara. Sot, në moshën 22-vjeçare, ndodhet tek Evertoni dhe ka bërë karrierë, por si i duket jeta këta vite në Europë?

“Viti i parë në Angli ishte tepër i vështirë, – tha sulmuesi brazilian për “Frans Futbollin”, – nuk mundesha të përshtatesha me temperaturat, këmbët më dridheshin në fushë dhe veshët me digjnin nga i ftohti”. Duke folur më tej, Riçarlison nuk la fjalë të keqe pa thënë për kuzhinën angleze. “Në Brazil kemi kuzhinë krejt tjetër, dhe humba 5 kg sepse nuk doja të haja ato ushqime që hahen në Angli”, – u shpreh futbollisti.

Gjithsesi, në fushën e lojës ka pasur sukses, dhe për më tepër i ka pëlqyer edhe diçka tjetër jashtë futbollit. Pas 14 golave në 38 ndeshje, ai ndihet më i përshtatur, ndërsa përshtatjen më të mirë e ka pasur me vajzat angleze. “Ka sjellje shumë miqësore këtu në Angli, – tha Riçarlisoni, – njerzit janë shumë të edukuar dhe vajzat janë shumë të bukura”. Mirë që qenkan vajzat, se për të tjerat, 22-vjeçari mund të kishte ikur me vrap. Ah, pa harruar diçka, rrogën që merr dhe faktin që luan në Premier Ligë.

Sfidanti.al