F1, Hamilton plotëson kryeveprën; në Belgjikë bën të tijën edhe garën

Lewis Hamiltion plotëson kryeveprën e tij në ndalesën e radhës së Botërorit të Formula 1në Belgjikë. Piloti britanik i Mercedes ishte zot në pistën e SPA duke regjistruar fitoren  e tij të pestë sezonale. Hamilton e nisi garën nga pole position dhe arriti ta ruajë vendin e parë deri në fundin e saj, pavarësisht përpjekjeve të Sebastian Vettel për ta parakaluar. Piloti gjerman i Ferrarit i qëndroi pranë britanikut gjatë gjithë garës, por e pati të pamundur për t’ia rrëmbyer fitoren.

Podiumin e garës këtë radhë e plotësoi Daniel Ricciardo që me Red Bullin e tij la pas dy finlandezët Kimi Raikkonen me Ferrari dhe Valtteri Bottas me Mercedes të renditur respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë. Kjo ditë ishte krejtësisht për t’u harruar për Max Verstappen që u detyrua të tërhiqej pas 8 xhirove të para për shkak të problemeve në makinën e tij. Pas garës së Belgjikës, Vettel vazhdon të kryesojë në renditjen për pilotë, por tani diferenca mes tij dhe Hamilton u reduktua në vetëm 7 pikë.

sfidanti.al