Ishte fundjava e Ljuis Hamiltonit. Shtatë herë kampioni i botës shkëlqeu nën ndriçimin e dritave të pistës së Losailit, në debutimin e Çmimit të Madh të Katarit, duke arritur një fitore që mund të jetë vendimtare në garën për titull me Maks Verstapenin. Holandezi doli i dyti, mori edhe pikën e veçantë për xhiron më të shpejtë, por gjithsesi piloti i Mercedesit tregoi e e ka rigjetur plotësisht madhështinë e tij. Dy fitore radhazi bënë që diferenca të zbresë tani në vetëm 8 pikë kur duhen edhe dy gara deri në fund, në 5 dhjetor në Arabinë Saudite dhe një javë më pas në Abu Dabi.
Hamiltoni u nis nga vendi i parë dhe kryesoi nga xhiroja e fillimit e deri në fund, duke mos e vënë asnjëherë në diskutim fitoren. Holandezi i Red Bullit po ashtu nuk e diskutoi edhe aq vendin e dytë, duke mbajtur rreth 8-9 sekonda diferencë me kreun, edhe pse u nis nga vendi i 7-të pasi u ndëshkua për shkelje. Makina austriake u duke tepër e shpejtë, e ngjashme me Mercedesin ndaj edhe në dy garat e mbetura pritet një luftë shumë e fortë. Fernando Alonso arriti një vend të tretë të papritur, duke pilotuar shkëlqyeshëm me makinën Alpin.
Sfidanti.al