Nuk dihet nëse është tejkaluar varësia nga karakteri tepër i fortë i Antonio Kontes, por nën drejtimin e Simone Inzagit ky ekip po nis të tregojë “dhëmbët”. Interi është tani vetëm 4 pikë larg kreut të Serisë A pas një jave të 13-të që ishte e gjitha për të. Fitore 3-2 ndaj kryesueses Napoli në “San Siro” duke larguar dyshimet, dhe shfrytëzim i humbjes 3-4 të Milanit në fushën e Fiorentinës. Edhe pse suksesi ishte shumë i vështirë, dhe napolitanët e trajnerit Spaleti patën dy raste të pastër për të barazuar në fund, sërish fitorja mbetet dhe ishte në një ndeshje tepër të rëndësishme.
Interi po tregohet i madh me të mëdhenjtë, dhe ka gjetur një lojtar që shkëlqen me të mëdhenjtë, si turkun Hakan Çalhanoglu, që ishte përcaktues edhe ndaj Milanit e Juventusit. Lojtari ofensiv shënoi me penallti për 1-1, dhe asistoi golin e dytë të shënuar nga kroati Perishiç. Kur Lautaro Martinez shënoi të tretin dhe të parin personal pas kaq kohësh, u duk se gjithçka përfundoi, por Napoli nuk u dorëzua. Mertens realizoi një gol të madh, ndërsa në fund djemtë me fanelën me fytyrën e Maradonës fare mirë mund të kishin barazuar. Në renditje, Napoli e Milani kanë nga 32 pikë, Interi ka 28.
Sfidanti.al