Kumbulla më në fund titullar, Roma e Murinjos fluturon në vend të pestë!

Përpara ndërprerjes së kampionatit morali ishte përtokë, trajneri portugez kishte nisur të ndihej jo shumë mirë, dhe disa nga lojtarët nuk kishin besim tek ai. Zhoze Murinjo duket se bëri një analizë të thellë të situatës dhe arriti të ndryshonte në kohë. Roma e tij fitoi 2-0 në stadiumin “Marasi” ndaj Xhenoas, duke i prishur debutimin e Andrij Shevçenkos, por duke e ngjitur ekipin e tij në vend të pestë në Serinë A. Të dy golat u shënuan nga “asi nën mëngë” i portugezit, 17-vjeçari Feliks Afena-Gian që hyri në fushë vetëm në minutën e 75-të duke zëvendësuar Eldor Shomudorov. Sulmuesi adoleshent realizoi në 82’ dhe në sekondat shtesë. Në fushë si titullar, më në fund ishte Marash Kumbulla. Futbollisti 21-vjeçar i kombëtares shqiptare ishte në një detyrë shumë delikate në qendër të mbrojtjes me 3 lojtarë duke e bërë më së miri detyrën e tij.

Murinjo theksoi pas ndeshjes se “ne dominuam dhe merituam fitoren”. Portugezi ka të drejtë sepse romanët mbajtën topin 59 për qind dhe patën 9 gjuajtje ndaj 2 të vendasve, ndonëse në kuadrat patëm vetëm 3. Roma ëhstë në vend të pestë me 22 pikë, vetëm 3 pikë larg zonës Champions, nga vendi i katërt që mbahet nga Atalanta.

Sfidanti.al