Nuk është e qartë nëse e ka si hakmarrje, apo thjesht bën detyrën. Entoni Dejvis po tregohet i pamëshirshëm nga ish-ekipit të tij, Nju Orlinsit, këtë sezon të NBA-së, ndërsa ndihmoi Lejkërsat që të arrinin një tjetër fitore. Suksesi i katërt radhazi i skuadrës nga Kalifornia u bë i mundur falë 46 pikëve të lojtarit qendër, që ishte i papërmbajtshëm. Kjo ishte ndeshja e dytë me të paktën 40 pikë të shënuara ndaj Nju Orlinsit, me Dejvisin që ndoshta ka një zemërim që ish-klubi i tij ia pengoi për shumë muaj kalimin në Los Anxhelos.
Shtatlarti 2.11 metra pati edhe 13 topa të kapur në tabela, dhe Lejkërsat triumfuan 123-113 në Arenën “Stejpëlls Sentër”. Ai jo vetëm shënoi shumë, dominoi tabelat, si dhe vodhi 3 topa e bllokoi një gjuajtje, por edhe u tregua shumë i saktë. Shënoi tri herë për tri pikë, ndërsa nuk gaboi në asnjë nga 13 gjuajtjet e lira.
Padyshim, paraqitja e tij e madhe nuk do të kishte qenë plotësisht e mundur pa ndihmën e Lebron Xhejmsit. i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” pati 17 pikë, 8 topa në tabela, por sidomos 15 asistë, mjaft prej tyre për Dejvisin. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për Lejkërsat, që kryesojnë Konferencën Perëndimore me 28 fitore e 7 humbje, duke pasur bilancin e dytë më të mirë të sezonit në NBA.
Sfidanti.al