Asnjë gjuajtje në portë, ky është Mançester Junajtidi që do Solskjeri?!

Vjet gjetën “belanë” në këtë stadium dhe u detyruan të dilnin jashtë garës më të vjetër të botës, Kupës së Anglisë. Yjet e Mançester Junajtidit e patën disi më të mirë këtë janar, pasi shpëtuan me një barazim 0-0 në “Molino” ndaj vendasve të Uolvesit, por duke bërë një figurë të keqe. Përballë një skuadre që arriti “t’ia mblidhte” edhe Liverpulit në “Anfild”, “djajtë e kuq” nuk patën asnjë gjuajtje në kuadrat (edhe pse Rashford goditi shtyllën), një statistikë e keqe sa më s’bëhet. Nuk është ky drejtimi i duhur në të cilin dëshiron të ecë trajneri Ole Gunar Solskjer.

Vendasit patën edhe një gol të anuluar nga VAR-i, dhe fati i duelit të turit të tretë do të vendoset në ndeshjen përsëritëse që do të luhet në “Old Traford”. Një “kërcu përmbi samar” për të dyja skuadrat, që janë të impenjuara në Premier Ligë, Kupën e Anglisë, Kupën e Ligës dhe Ligën e Europës. Solskjer bëri 7 zëvendësime ndërsa pati edhe lojtarë të sëmurë, dhe ngarkesa do të vazhdojë të shtohet, pasi të martën Junajtidi do të luajë gjysmëfinalen e Kupës së Ligës ndaj Mançester Sitit. Ndoshta, Solskjer mund të ankohet që nuk iu dha një penallti që lojtarët e tij do ta kishin merituar, por sidoqoftë ai ka shumë punë për të bërë që ta ngjisë Mançester Junajtidin në nivelet e dikurshme.

Sfidanti.al