Kësaj Barcelone i mungon diçka, faj i Valverdes apo që nuk ka më uri!

E nisi të shtunën me dy pikë epërsi ndaj Realit, por nuk mundi ta ruante këtë avantazh. Edhe pse e mësuar me presionin, Barcelona nuk ia doli që te fitonte derbin në fushën e Espanjolit, dhe barazimi 2-2 e detyroi që të ishte sërish me të njëjtin numër pikësh me madrilenët, në renditjen e La Ligës. Nuk ka asnjë tragjedi këtu, por në konkurrim me një Real aspak të qendrueshëm, katalanasit nuk kanë pasur forca për të marshuar me “marshin e katërt apo të pestë”, siç bënin sezonet e kaluara. Skuadra e Zidanit fitoi 3-0 në fushën e Getafes, ndërsa “blaugranët” u ndalën në 2-2 në fushën e rivalëve qytetas.

E treguan karakterin kur përmbysën avantazhin e hershëm të Espanjolit, arritur me golin e David Lopezit në pjesën e parë. Pas pushimit, “heronjtë” Luis Suarez dhe Arturo Vidal kaluan Barçën në epërsi, dhe u mendua se ndeshja do të fitohej. Madje, pati shpresë që Mesi ta shtonte golin e tij të zakonshëm. Kjo nuk ndodhi, por ngjau ajo që nuk mendohej. Frenki De Jong mori kartonin e kuq (të merituar si e verdha e dytë), ndërsa Espanjoli gjeti barazimin me anë të kinezit Vu Lei. Në një farë mënyre, për të barazuar vendasit “i ranë nga Kina”. Barcelona ka 40 pikë, po aq sa Reali, ndërsa nuk e kaluan dot rivalin madrilen në renditjen e përgjithshme të golave të shënuar në La Liga. Madridi është 2 gola para.

Sfidanti.al