Shpesh lajmet që dalin në media mund të jenë pak të vjetër, por gjithnjë tregojnë një të vërtetë. Me gjasë, mes Realit të Madridit dhe Mançester Junajtidit ka pasur bisedime për Pol Pogbanë, dhe anglezët mund të kenë bërë një kërkesë që i ka bllokuar spanjollët. Drejtuesit nga “Old Trafordi”, sipas mediave britanike, kanë kërkuar si pjesë të një marrëveshjeje, kalimin e Toni Krosit tek skuadra e tyre, diçka që më gjasë madrilenët nuk kanë qenë të gatshëm ta pranonin.
Junajtidi provoi ta merrte Krosin që në 2014, kur ai fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë, por mesfushori i Bajernit në atë kohë zgjodhi që të bashkohej me Realin, që drejtohej nga Karlo Ançeloti. Kanë kaluar gati 6 vjet, dhe duket se “djajtë e kuq” nuk e kanë harruar gjermanin që është në moshën 29-vjeçare, pra që mund të japë edhe mjaft vjet në nivele të lartë. Pogba është më i ri, 26 vjeç, dhe besohet se kartoni i tij kushton më shumë. Reali, sipas mediave spanjolle, mund ta ketë ftohur interesin për francezin, pasi në mesfushën e tij po shkëlqen uruguajani i ri, Federiko Valverde.
Sfidanti.al