Edhe me një Adetokumbo në kulm, Miluoki nuk do ta kishte mundur Bostonin

Një skuadër e madhe e ka për detyrë që të kthehet në madhështinë e vet dhe kështu bëri Boston Sëlltiks. Në Arenën e tyre, basketbollistët me fanelën legjendare me ngjyrë të bardhë e të blertë nuk i zhgënjyen tifozët e tyre duke eliminuar Miluokin e duke arritur finalen e Konferencës Lindore. Dueli ndaj Majemit do të jetë i stërvështirë, por edhe sfida e shpalosur nga Miluoki nuk ishte më pak. U desh ndeshja e shtatë dhe vendimtare, edhe pse u fitua bindshëm 109-81 duke mos e vënë në diskutim kualifikimin. Bostoni luajti si skuadër, me Grant Uilliamsin që pati 27 pikë e 6 topa në tabela, Xhejzën Tatëmin që shtoi 23 pikë, 6 topa në tabela e 8 asistë dhe Xhejlën Braun me 19 pikë e 8 topa në tabela. Plot 9 basketbollistë vendas shënuan pikë dhe kjo bëri diferencën, po ashtu si gjuajtje nga largësia nga të cilat u realizuan 22, ndërsa Miluoki shënoi vetëm 4. Janis Adetokumbo dha maksimumin duke qenë më i miri i kampionëve (tashmë të eliminuar), edhe pse u mbulua fort në gjuajtje duke pasur mesatare nga fusha vetëm 38.5 për qind. Sidoqoftë, ai shënoi 25 pikë, kapi 20 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë, duke vjedhur 2 topa e bllokuar një gjuajtje. Gjithsesi, titulli nuk mbrohet vetëm.

Sfidanti.al