E vërteta e hidhur e Gjokoviçit për “Roland Garosin”

Novak Gjokoviçi e përgëzoi Dominik Timin për fitoren e tij kundër raketës nr.1 të botës (Gjokoviçit) në këtë turne të rëndësishëm, por, megjithatë, ai kritikoi ashpër organizatorët e tij.

Në fakt, tenisti austriak e meritoi fitoren në gjysmëfinale të turneut të Parisit, megjithëse tenisti serb nuk ishte në nivelin e dëshiruar.

Sidoqoftë, Nolja sulmoi organizatorët e “Rolan Garosit” se e kanë kthyer sportin në biznes:

“Fillimisht, unë dua të përgëzoj Timin që ishte psikikisht më solid, më i fortë dhe më stabil, kur ishte mëse e nevojshme. Por këto dy ditët e fundit ishin më të vërtetë ditë mbijetese dhe një gjë të tillë unë kurrë më parë nuk e kam përjetuar në karrierën time. Në një rast, në ndeshjen kundër Fererit, më duket se ishte gjysmëfinalja e US Openit, unë humba setin e parë dhe më pas ndeshja vazhdoi të nesërmën. Por, në kushtë të tilla, kjo mua më ndodh për herë të parë. Duhet të kini parasysh rëndësinë e këtij turneu. Për organizatorët, shtyrja një ditë e ndeshjes do të thotë shumë para. Këtu ka më shumë biznes sesa sport. Në këtë rast, më shumë vëmendje i kushtohet çmimit të biletës sesa çfarë ndjejnë tenistët në fushë. Megjithatë, sido që të jetë, unë e dua këtë sport dhe i pranoj gjëra të tilla”, tha Nolja.

Sfidanti.al