Golden Stejti ka qenë dobët këtë vit, sidomos pa Stefën Kërrin, por duhej të provonin edhe një turpërim përpara sesa të mbyllej sezoni i rregullt. Kampionët në fuqi, sërish pa Kërrin, shkuan në fushën e Juta Xhazit, dhe aty u ndeshën me një nga debutuesit më të mirë në historinë e NBA-së, Donovan Miçëllin.
Njëzetenjëvjeçari shënoi 22 pikë, ndërsa theu rekordin e tripikëshave të një debutuesi, me 186 të tillë gjithsej në sezon. Ndaj Golden Stejtit, ai provoi 5 dhe realizoi 4 gjuajtje të tilla, ndërsa rekordi i mëparshëm me 185 gjuajtje gjithsej mbahej nga Damian Lilard i Portlendit.
Ndaj Uorriorsit, Miçëll u ndihmua nga shokët e tij më të rritur si Fejvërs, Rubio apo Gobert, ndërsa në krahun tjetër, Kevin Duranti ishte një zhgënjim. Ai shënoi vetëm 13 pikë në 29 minuta në fushë dhe nderin e kampionëve, me aq sa mundi, e mbrojti kapiteni Klej Tompson me 23 pikë. Juta fitoi thellë 119-79.
Donovan Miçëll, ndërkaq, pritet të jetë një protagonist i madh në basketbollin amerikan vitet e ardhshme. Të mos harrojmë se mjeshtri i tripikëshave, fitoi edhe konkurrimin për zhytjet në kosh në Ndeshjen e Yjeve në NBA.
Sfidanti.al