Një raund më parë shënoi gol vendimtar në Londër, dy të tjerë në “Kamp Nou” si dhe shërbeu asist për Dembelenë, në eleminimin e Çelsit. Veçse, çerekfinalet e Championsit, edhe këtë sezon, ishin një mallkim për Lionel Mesin. Argjentinasi “qiellor” u duk thuajse “nëntokësor” ndaj Romës, dhe jo vetëm në duelin në stadiumin “Olimpiko”.
Nuk shënoi gol, ashtu siç nuk kishte shënuar as në takimin e parë, humbi 19 topa, gjuajti 5 herë në portë, nga të cilat dy herë në kuadrat, dhe ekzekutoi keq dy goditje dënimi. Leo nuk kishte shkëlqyer as në “Kamp Nou”, duke mos shënuar gol. Për pafatësinë e tij, “mallkim” kjo çerekfinale ishte për gjithë Barcelonën, që u eleminua nga Roma.
Për Mesin, çerekfinalet e Championsit janë një mallkim i pandërprerë. Gazeta “Marka” përpiloi një listë me ecurinë e numrit 10 në Ligën e Kampionëve që nga sezoni 2006-2007. Ja statistikat:
- Liverpuli 2006-2007 180’/0 gola
- Man. Junajtid 2007-2008 152’/0 gola
- Interi 2009-2010 180’/0 gola
- Çelsi 2011-2012 180’/0 gola
- Bajern 2012-2013 90’/0 gola
- Atletiko 2013-2014 180’/0 gola
- Atletiko 2015-2016 180’/0 gola
- Juventusi 2016-2017 180’/0 gola
- Roma 2017-2018 180’/0 gola
Sfidanti.al