Donçiç është i shkëlqyer edhe në humbje, por Klipersat janë “gjallë”!

E pamundur që ky djalosh 22-vjeçar të ndalet, por mund të bllokohet ekipi i tij. Luka Donçiç vazhdon të jetë në formë të shkëlqyer në plej ofin e NBA-së, ndonëse klasi i tij nuk vlejti në ndeshjen e tretë të Dallasit ndaj Klipersave. Edhe pse u luajt në Teksas, edhe pse Maveriksët kishin epërsi 2-0 me fitore, sërish ekipi nga Los Anxhelosi tregoi karakterin e një pretendenti për titull duke mos lejuar një tjetër disfatë.

Donçiç shënoi 44 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 9 topa në tabela e 9 asistë, por dyshja Kauai Leonard dhe Pol Xhorxh kombinuan për të fituar. Ata shënuan së bashku 65 pikë, 36 Leonardi dhe 29 Xhorxhi dhe Klipersat fituan 118-108. Dallasi “u tradhëtua” nga ylli tjetër europian, Kristaps Porzingis që shënoi vetëm 9 pikë e kapi vetëm 3 topa në tabela, pikërisht atëherë kur duhej më shumë.  Në Arenë ishin 17 700 tifozë, publiku më i madh në NBA këtë sezon, dhe Donçiç i shënoi 4 gjuajtjet e para (përfshi tri për 3 pikë), veçse yjet nga Kalifornia nuk pranuan të dorëzoheshin.

Sfidanti.al