Dita e kiametit! Fetel: E dija se Ferrari do të mbetej një xhiro prapa!

Është një thënie e sinqertë, e dëshpëruar, apo një lloj hakmarrjeje, këtë vetëm koha do ta tregojë. Gjithsesi, të duket si “dita e kiametit” kur një katër herë kampion i botës si Sebastian Fetel, pilot i skuadrës më të famshme të Formula 1, arrin të ngrejë duart lart i dorëzuar. Pavarësisht nga dominimi disavjeçar i Mercedesit, kjo nuk kishte ndodhur kurrë, pra fakti që po ndodh tani, duket sikur po vjen epoka e “Barkës së Noes”.

“Unë e dija se Mercedesi do të na linte një xhiro prapa, – deklaroi Feteli pas garës në Hungari, – jemi kthyer në normalitet pas garës së parë anormale (kur Ferrari doli në vend të dytë). Nuk jam i habitur nga dominimi i Mercedesit, e dinim se ishte i shpejtë, e kishim të qartë që përpara nisjes së garës”. Për pilotin gjerman, rezultati normal i Ferrarit do të kishte qenë vendi i pestë, ndërsa në Hungari u kuptua se jo vetëm Mercedesi, por edhe Red Bulli e madje edhe “Rejsing Pointi” (Racing Point) ishin superiorë ndaj makinës italiane.

Sfidanti.al