Guardiola me dhimbje koke: Championsi nuk fitohet kështu!

Ishin përballë, siç thuhet në këto raste, mësuesi me nxënësin. Pep Guardiola mori një leksion nga ish-ndihmësi i tij, Mikel Arteta, ndërsa Arsenali mundi 2-0 Mançester Sitin duke u kualifikuar për në finalen e Kupës së Anglisë. Në një sfidë gjysmëfinale luajtur në stadiumin e mrekullueshëm “Uembli”, për fat të keq ende pa spektatorë, pra me 80 000 vende bosh, londinezët shkaktuan një nga të papriturat më të mëdha të sezonit.

Ishte dita e shkëlqimit të Pjer-Emerik Obamejangut, ndonëse sulmuesit nuk i ishte vënë kurrë në dyshim statusi i tij si një prej më të mirëve të Europës. Habia më e madhe ishte transformimi i mbrojtjes, nga më e kritikuara në Angli, tek një sistem-bunker, që përballoi yjet e mëdhenj të Sitit. Lojtarë si David Luiz e Shkodran Mustafi, me të cilët ishin tallur sa kishin pasur qejf, media e tifozët, morën revanshin e tyre. “Kritikat ishin të tilla që mund të më vrisnin, – dha Luiz, – por unë mbijetoja, dhe arrita në finalen e Kupës. Shpresojmë ta mbyllin vitin me një trofe”.

Meritë e madhe për suksesin pikërisht e trajnerit Mikel Arteta, edhe pse në Premier Ligë, Arsenali mund të thuhet se është për turp, vetëm në vendin e 10-të. “Fitorja ishte një shpërblim për lojtarët, – tha Arteta, – jam shumë i lumtur për ta, dhe shumë krenar. Më vjen keq vetëm që nuk mund ta festojmë këtë sukses së bashku me tifozët. Duhej të jepnim maksimumin që të mundnim më të mirët, dhe të jepnim shpirtin në mbrojtje. Shpresoj që ky sukses të bindë Obamejangun për të mos u larguar prej nesh”.

Nga ana e tij, Pep Guardiola, ishte i shqetësuar, jo vetëm sepse Siti humbi shansin për të fituar trofeun e dytë të sezonit pas Kupës së Ligës, ndërsa më parë ishte humbur titulli kampion në favor të Liverpulit. Trajneri katalanas ishte më shumë i mërzitur për Championsin, pasi duhet të luajë ndeshjen e dytë ndaj Realit për të shkuar në çerekfinale.

“Ne duhet të rrisim nivelin tonë, pasi me këtë lojë nuk mund të kemi sukses në Champions, – tha ai, – ne duhet të ndryshojmë ritmin, pasi është mundësia jonë e fundit për të fituar një tjetër trofe. Ne duam të shkojmë në finale, por duhet të ndryshojmë. E dinim se Arsenali do të luante me pesë mbrojtës, siç bëri në fitoren ndaj Liverpulit, pra duhej të kishim qenë më të përgatitur”.

Sa për Arsenalin, pavarësisht lumturisë së arritjes së finales, duken ende të largëta ditët e lavdisë. Tifozët shpresojnë që ekipi i tyre të fitojë të paktën Kupën, ashtu siç bëri në 2017 me Arsen Vengerin, ndërsa ëndrra e madhe është të rikthehet epoka e dikurshme, kur një Arsenal i Pathyeshëm, duke mos humbur asnjë ndeshje, fitoi titullin kampion në 2004. Do të duhet të presin, pasi nuk do të jetë e lehtë të krijohet ai ekip me Tieri Henrinë, Patrik Vieiranë, Denis Bergkampin, Sol Kempbëllin, Eshli Koulin apo Robert Piresin.

Sfidanti.al