Ai tashmë ka më shumë se 200 gola në karrierë me klubet, dhe Zhoze Murinjo ndihet i lumtur që sulmuesi i tij kryesor po kthehet sërish në formë. Harri Kejn arriti në 201 rrjeta në ndeshjen e kaluar ndaj Njukasëllit, ndërsa shtoi edhe dy gola të tjerë në triumfin e Totenhemit këtë të diel ndaj Leisterit, duke lënë pas disa nga yjet më të rëndësishëm që kanë luajtur në Premier Ligë.
Sulmuesi i Totenhemit i ka shënuar këta 201 gola në 350 ndeshje me klubet (tani ka 203 në 351), duke lënë pas yje të tillë si Kristiano Ronaldo, Tieri Henri, Kun Aguero apo Uejn Runi. Ronaldos iu deshën 379 ndeshje për të arritur në 200, Aguero pati nevojë për 396 takime, Henri realizoi aq në 439 sfida, ndërsa Uejn Runi ishte edhe më “i vonshëm”, me 449 ndeshje. Gjithsesi, sado që Kejni po e tregon veten si një gjahtar goli të shkëlqyer, ai nuk mundi të barazojë rekordin e Lionel Mesit, madje as që t’i afrohej. Ylli argjentinas shënoi 200 gola për Barcelonën pasi luajti vetëm 276 ndeshje, pra 74 duele më pak sesa anglezi.
Sfidanti.al