CSKA Moskë e Rodrigez, heronjtë e fundvitit në Euroligë

Vitin e kaluar u mundën në këtë Arenë, dhe këtë herë nuk u duk ndryshe. CSKA e Moskës e pati jetën shumë të vështiërë në Vendet Baske, në Spanjë, në përballjen e Euroligës në fushën e Baskonias. Vendasit kryesuan deri 16-0 e pastaj 18-5 në periodën e parë në qytetin e tyre Vitoria-Gastez, por CSKA tregoi gjithë karakterin e saj të fortë duke rezistuar, forcuar mbrojtjen dhe fituar ndeshjen 90-81. Me këtë sukses, dhe me humbjen e Olimpiakosit, skuadra ruse kryeson e vetme renditjen e Championsit të basketbollit europian me 12 fitore e vetëm 3 humbje.

Spanjolli Sergio Rodrigez, ish-yll i Realit, ishte më i miri në fushë me 25 pikë, me 6 gjuajtje tripikëshe dhe 8 asistë e 6 topa në tabela, ndihmuar nga amerikani Uill Klajbërn me 20 pikë e 6 topa në tabela. Nando De Kolo shtoi 11 pikë dhe Otello Hanter pati 10. Për baskët, më i miri ishte Shengelia me 20 pikë e 13 topa në tabela. CSKA fitoi titullin europian në 2016, e humbi vjet në favor të Fenerbahçes, por shpreson ta fitojë përsëri.

Sfidanti.al