Buker lë pas Kovidin, ndihmon Feniksin të kualifikohet në plej of

E meriton plotësisht të jetë skuadra e parë që kalon pragun e sezonit të rregullt në NBA. Feniks Sans është ekipi më i mirë i këtij sezoni, madje me diferencë nga të tjerët, dhe vazhdimësia është e shkëlqyer pas humbjes së vjetshme në Finalen e Madhe të basketbollit amerikan. Fitorja e fundit, 111-90, në fushën e Majemit flet shumë sepse ishte në shtëpinë e skuadrës më të mirë të Konferencës Lindore. Rikthimi i Devin Bukerit pas 4 ndeshjeve mungesë ishte tepër i rëndësishëm. Basketbollisti që ka fanelën me numrin 1 iu afrua një tripëll dabëlli me 23 pikë, 8 topa në tabela e 9 asistë. Bukeri ishte i sëmurë me Kovid, por tha se nuk kishte pasur shqetësime. Mungesa e Kris Polit ndihet, por gjithsesi me Bukerin mund të fitohen ndeshjet. Ajton pati 19 pikë dhe 10 topa në tabela, Mekgi pati 11 pikë e 15 topa në tabela, dhe Krauder e Pejn shënuan nga 11. Feniksi ka 50 fitore e 13 humbje dhe është skuadra e parë e kualifikuar për në plej of.

Sfidanti.al