Boks, Shqipëria ka pesë finalistë në Kampionatin Ballkanik në Zagreb!

Kur arrihet kaq lart, padyshim që quhet sukses. E tillë ecuria e kombëtares shqiptare në kampionatin ballkanik të boksit që po zhvillohet në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb. Boksierët kuqezinj kanë arritur thuajse vetëm fitore duke nxjerrë 5 finalistë, pra duke pasur shpresë për medalje të arta. Vlen të theksohet se janë të sigurta 5 medalje të argjendit, diçka e paprecedentë për këtë sport të vendit tonë në nivelet ballkanike, për vetë konkurrencën e fortë në Gadishullin tonë. Krenar Zeneli mundi në gjysmëfinale për peshën deri 60 kg sllovenin Tadej Cernoga me shifrat 5-0, ndërsa në çerekfinale mundi kroatin Mamiç.

Rexhildo Zeneli mundi sllovenin Jovanoviç në peshën deri në 64 kg. Në peshën deri 69 kg, Denis Nurja kaloi me sukses boksierin nga Serbia, Xheljan Toskiç, i cili e braktisi ndeshjen në raundin e tretë. Në çerekfinale, Nurja kaloi sllovenin Sircelj. Në peshën deri 75 kg, Alban Beqiri mposhti me diferencë Edin Sejdinoviçin nga Slloveni, gjithashtu me shifrat 5-0. Deri 91 kg, Indrit Laçi pati një sukses të vështirë ndaj sllovenit Aljaz Ban, duke u ndarë në favor vetëm me një pikë, 3-2.

Sfidanti.al