Bilardo, Ermal Dyli i Teutës është sërish kampion i Shqipërisë!

Pjesëmarrja nuk ishte ajo që pritej, por turneu u mbajt. Federata Shqiptare e Bilardos e zhvilloi kampionatin kombëtar të radhës me 9 gurë, dhe në përfundim të tij kampion doli një personalitet i njohur i këtij sporti. Ermal Dyli i Teutës përsëriti sukseset që kishte arritur më parë duke fituar titullin e duke mos pësuar asnjë humbje. Dyli i fitoi të gjashtë ndeshjet, madje paradoksalisht e pati më të vështirë në raundin e parë ndaj Besmir Cufes, pastaj ndaj Enea Shytajt, në të tetat e finaleve kundër Erion Skopecit, dhe në çerekfinale përballë Klevi Hyksës, duke arritur fitore të ngushta si 7-6, 7-5, 7-5 e 9-7.

Më pas, sportisti i Teutës së Durrësit kaloi pa probleme Mario Zajën në gjysmëfinale me shifrat 9-1 dhe triumfoi në finale kundër Julian Xhafës 9-4. Drejtori teknik i Federatës, Roland Panozaqi, është i përqëndruar në aktivitetin ndërkombëtar që vjen menjëherë më pas, në 22-23 tetor. Në Sallën e Bilardos në Kombinat të kryeqytetit, në bashkëpunim me Këshillin e Bilardos për Europën Lindore, zhvillon kampionatin “Më të mirët e Lindjes” në bilardon dinamike.

Sfidanti.al