Basketboll, vetëm Flamurtari i vajzave është “antidoti” i Shqipërisë ndaj Kosovës!

Prej kohësh që nuk mbahen mend është skuadra më e mirë në Shqipëri. Flamurtari i Vlorës me të vërtetë “mban flamurin” në basketbollin shqiptar të femrave, por duket se mund të rivalizojë shumë mirë edhe me ekipet e Kosovës. Pak ditë pas triumfit në finalet e Superkupës Mbarëkombëtare në Prizren, vajzat vlonjate e nisën me fitore edhe konkurrimin tjetër, Ligën Unike. Në Pallatin e Sportit “Flamurtari”, u kalua me sukses sfida ndaj Bashkimit të Prizrenit, pikërisht rivalit kryesor në Superkupë. Vendaset patën epërsi në çdo pjesë loje duke qenë vazhdimisht në avantazh e duke e mbyllur ndeshjen me shifrat 82-70.

Kjo ishte ndeshja e parë e edicionit të ri të Ligës Unike, ku marrin pjesë 3 ekipe nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova. Tashmë, Flamurtari e ka zhvendosur vëmendjen në ndeshjen e fundjavës në kampionat ku do të ketë përballë rivalin kryesor, Tiranën. Skuadra vlonjate e femrave është i vetmi shembull që basketbolli i Shqipërisë mund të konkurrojë me atë të Kosovës, dhe kjo besohet për shkak të një tradite shumë të fortë që zgjat me dekada dhe që ka krijuar një ekip tradicionalisht shumë të fortë. Në çdo aspekt tjetër, sidomos tek meshkujt, Kosova është shumë më lart se ne për shkak të sportivitetit më të madh, infrastrukturës më të mirë, vëmendjes më të mirë televizive, dhe sidomos financimit më të mirë, qoftë nga shteti, e qoftë nga privatët.

Sfidanti.al