Edhe vetë Lebron Xhejmsi nuk arrin dot t’i bëjë hije. Janis Antetokumbo po arrin në ato nivele ku mund të pretendojë pa druajtje që të cilësohet si numri 1 në NBA. Edhe pse jo nënshtetas amerikan, dhe jo prodhim i sistemit të shkëlqyer të basketbollit në Shtetet e Bashkuara, sërish afrikani me pasaportë greke nuk mund të ketë asnjë kompleks. i tillë është sezoni që po zhvillon, dhe e tillë edhe paraqitja në fitoren e fundit, atë arritur në fushën e vet ndaj Orlandos.
Miluoki ia doli me shifrat 110-101, në një duel jo edhe aq të lehtë, dhe u mbajt në epërsi gjatë gjithë kohës falë yllin kryesor. Antetokumbo pati 32 pikë e 15 topa në tabela, madje iu afrua edhe tripëll dabëllit, që nuk është specialitet i tij. Basketbollisti me numër 34 shërbeu edhe 8 asistë, si dhe vodhi një top e bllokoi një gjuajtje.
Parametrat e tij fizikë dhe atletikë e bënë sërish të pamundur për t’u ndalur, madje shpesh Antetokumbo e kapte po vetë topin kur gabonte në gjuajtje. Kontributi i tij u nuk dëmtua shumë nga gabimet në gjuajtjet e lira, edhe pse superylli duhet ta ndreqë sa më parë këtë dobësi.
Kjo ndaj Orlandos ishte fitorja e 15-të radhazi e Miluokit, që mbajti ritmin e Los Anxhelos Lejkërsave si dy ekipet më të mirë në NBA. Me bilancin 21 fitore e 3 humbje, skuadra e Antetokumbos është numri 1 në Konferencën Lindore, ndërsa kapiteni i saj është baraz me Xhejms Hardenin në garën për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit.
Sfidanti.al