Anglia fiton Kupën e 6 Kombeve në regbi, Franca e ndihmon!

Është një turne i lashtë, ndër më të vjetrit e sportit modern në të gjithë botën. Kupa e 6 Kombeve në regbi përfundoi mbrëmë me fitoren e Anglisë, që përfundoi me pikë të barabarta me Francën nga 18, por me golaverazh më të mirë (nëse mund të shprehemi kështu, pasi në regbi nuk ka gola, por pikë të shënuara me penallti dhe me aksione). Angli fitoi 34-5 ndaj Italisë në Romë, duke marrë edhe një pikë ekstra, ndërsa Franca mundi Irlandën në Paris 32-25. Nëse rezultati i kësaj ndeshjeje të fundit do të kishte qenë ndryshe, irlandezët mund të ishin shpallur kampionë. Anglia doli kampione për herë të tretë në 5 vitet e fundit. Trajneri i anglezëve, australiani Edi Xhons, e lidhi fitoren edhe me epideminë e koronavirusit.

“Ishte ditë e madhe për ne në shumë aspekte, – tha Xhonsi, – luajtëm me pasion dhe përqëndrim të madh. Shpresoj që tifozët nëpër shtëpi të jenë kënaqur me ndeshjen, ndërsa ne jemi duke kaluar nëpër një periudhë tjetër të vështirë, apo jo? Nëse do të na lejohet të luajmë regbi ndërkombëtar, ne duhet të bëjmë çmos që të ndihmojmë shoqërinë tonë të ndihet mirë”. Kampionati nisi në 1 shkurt dhe ishte parashikuar të përfundonte në 14 mars, por pak ditë para fundit ndodhi mbyllja e çdo aktiviteti për shkak të pandemisë. Katër ndeshjet e fundit u luajtën pikërisht në tetor. Turneu nisi në 1883 si Kampionati Britanik, në 1910 hyri edhe Franca dhe në vitin 2000 edhe Italia. Anglia ka 39 fitore, nga të cilat 29 më vete, Uellsi ka po 39 fitore nga të cilat 27 më vete ndërsa Franca ka 17 fitore (8).

Sfidanti.al