Ibrahimoviç shënuesi më i mirë dhe Milani kampion, tifozët besojnë mrekullinë!

Një tjetë fitore dhe marshimi vazhdon. Pas ndalesës me Romën dhe me Marash Kumbullën, Milani u rikthye tek suksesi duke siguruar vendin e parë në Serinë A edhe pas javës së 6-të, e duke u shkëputur në +5 pikë ndaj Interit. Ndaj Udinezes vendosi sërish superylli i skuadrës, Zllatan Ibrahimoviç, që po i habit të gjithë edhe pse në moshën 39-vjeçare.

Goli i shënuar 7 minuta para fundit në Friuli ishte jo vetëm përcaktues për rezultatin 2-1, por edhe tipik prej Ibre. Suedezi u barazua me legjendën ukrainase, Andrij Shevçenko, me rrjeta të shënuara në 6 ndeshje radhazi në Serinë A, që nga koha kur fitorja u vlerësua me tri pikë, pra që nga viti 1994. E bëri fillimisht në 2012, e përsëriti tani. Gjatë vitit 2020, është lojtari i Serisë A që ka marrë pjesë më shumë në aksionet e golit, me 17 rrjeta e 6 asistë, sidomos pas rifillimit të futbollit në qershor.

“Unë jam i rinuar, – tha Ibra pas ndeshjes, – më jepni topin, ma lini mua presionin dhe përgjegjësinë, është detyra ime”.  Milani kaloi në epërsi në pjesën e parë me Kesin, por pas fillimit të pjesës së dytë Rodrigo De Paul barazoi për Udinezes me 11-metërsh. Në një sfidë që u vështirësua shumë, sidomos në pjesën e dytë, trajneri Pioli aktivizoi fillimisht mesfushorin Tonali, dhe pastaj sulmuesin Rebiç të kthyer nga dëmtimi.

Kjo ndihmoi në fitoren, ndonëse nuk d të ndodhte pa Zllatanin. Milani ka 16 pikë, që do të thotë 5 fitore e një barazim, dhe ndoshta ky është sezoni i duhur për t’u kthyer tek titulli, për herë të parë që nga viti 2012. Tifozët besojnë se kjo mund të ndodhë dhe se Ibra mund të shpallet shënuesi më i mirë i Serisë A këtë vit.

Sfidanti.al