Iu deshën vërtet 20 ditë që të largonte koronavirusin nga trupi i tij, por pati nevojë vetëm për tri minuta në fushë që të gjente rrugën e rrjetës. Kristiano Ronaldo është Zllatan Ibrahimoviçi i Juves, ndërsa superylli portugez nuk ka të ndalur në shënimin e golave. Ja pra që skuadra e trajnerit Andrea Pirlo paska pasur nevojë për “flamurin” e saj që të kishte besim, dhe kështu ndodh zakonisht. Numri 7 hyri në fushë në minutën e 56-të, në ndeshjen e Serisë A në fushën e Specias, dhe shënoi në të 59-ën. Pastaj, realizoi një penallti në formë Panenka në minutën e 76-të. Juvja kishte shënuar në pjesën e parë me Moratën, por vendasit kishin barazuar me anë të Pobegës. Një tjetër gol për kampionët e shënoi Adrien Rabio.
“Juventusi është ende në fazë rindërtimi, – pohoi pas ndeshjes Pirlo, – Ronaldo? Na dha një dorë, një ndihmë e rëndësishme, pasi po luanim mirë, por nuk po e mbyllnim dot ndeshjen. Edhe Dibala luajti mirë, ndërsa ne jemi në 60-70 të formës”. Ronaldo ka 5 gola në vetëm 3 ndeshje këtë sezon, që të gjithë në Serinë A, ku duket se po kthehet në formën e viteve të arta tek Reali. Me gjasë, mund të thyejë rekordin e Gonzalo Higuainit dhe të Çiro Imobiles me 36 rrjeta në një sezon të kampionatit italian. Në total ka 643 gola për klubet, nga të cilët 70 në 92 ndeshje me Juventusin, një mesatare sërish e shkëlqyer. Bashkë me golat në kombëtare, CR7 po i afrohet 750 golave në karrierë.
Sfidanti.al