Andreesku: Shpresoj të bëhem si Serena, madje më e mirë se ajo!

Ishte një nga ato finale që quhen të ekstremeve. Legjenda më e madhe e epokës sonë ishte përballë yllit më të ri të tenisit, në ndeshjen fundore të US Openit, dhe si shpesh herë kohët e fundit, pati tronditje. Adoleshentja 19-vjeçare, Bianka Andreesku triumfoi ndaj Serena Uilliamsit duke i marrë Grand Slemin e Nju Jorkut, e duke mos e lejuar që të barazonte një rekord të madh.

Suksesi i kanadezes do të thotë se amerikania 38-vjeçare nuk arriti dot shifrën e 24 Grand Slemeve, aq sa ka Margaret Kërt, tenistja australiane që ka fituar më shumë tek femrat në histori. Andreesku, një vajzë me origjinë nga Rumania, u bë një pasardhëse e denjë e Ilie Nastases, ndërsa i mori setet 7-5 e 6-4.

“Jam e lumtur që arrita një sukses kaq të madh në moshë kaq të re, – tha 19-vjeçarja, – Serena ka qenë idhulli im, ashtu siç ka qenë edhe idhulli i shumë vajzave të tjera. Ajo ka qenë frymëzim për mua, një kampione e madhe. Shpresoj që të bëhem si ajo, ku i dihet, ndoshta edhe më e mirë se ajo”.

Legjenda amerikane ishte kritike me veten pas humbjes. “Një humbje është gjithnjë një humbje, dhe në sport kjo ndodh, – pohoi Serena, – në 20 vjet karrierë mendoj se duhet të jem krenare për atë që kam bërë, por këtë herë nuk luajta siç duhet. Duhet të kisha bërë më shumë, Serena e vërtetë nuk u shfaq në këtë finale. Shpresoj të gjej mënyrën që të jem sërish vetvetja. Bianka e meritoi fitoren dhe e përballoi presionin megjithë moshën e saj të re”.

Disfata do të thotë se Uilliams ka humbur katër finale të Grand Slemeve, që pas fitores së titullit të 23-të. Së pari, ajo u mund në finalen e Uimbëlldonit vitin e kaluar nga gjermania Anzhelikë Kerber. Më pas, po në 2018, u dorëzua në finalen e US Openit përballë amerikanes tjetër, Naomi Osaka. Vijoi humbja në finalen e Uimbëlldonit këtë vit kundër rumunes Simona Halep, ndërsa tani erdhi disfata me Andreeskun.

Sfidanti.al